Efektiviteti i mësimdhënies gjatë pandemisë Covid-19
Edukimi është sektori i dytë më i prekur nga pandemia e Covid-19 në të gjithë botën pas sektorit të mjekësisë. Referuar shifrave botërore, numri rekord i arritur është 1,54 bilion fëmijë dhe adoleshentë, arsimi i të cilëve është i prekur nga kjo pandemi. Duket qartazi se disa pikëpyetje të rëndësishme janë ngritur për vazhdimësinë e arsimimit. Pyetje të tilla si: A do të jetë shkollimi online po aq efikas sa ai në klasa? A po i hap rrugë kjo situatë impaktit të gjerë të teknologjisë dhe influencës së saj? A rritet vështirësia e mësimdhënies dhe aftësisë së mësuesve për të edukuar nëpërmjet pajisjeve elektronike?
Një ndër shqetësimet kryesore të ngritura gjatë kësaj pandemie është dhe ekspozimi i gjatë i fëmijëve dhe të rinjve në pajisjet elektronike si dhe mundësitë jo të barabarta që ekzistojnë për disa familje t’i ofrojnë fëmijëve të tyre për internet dhe teknologji. Kjo pandemi hodhi dritë mbi vështirësitë dhe sfidat e mësimdhënies online sidomos në vendin tonë. Gjithashtu nënvizoi 3 pengesa kryesore: stresi i mbylljes dhe pamundësia e daljes si dhe kontakti me shoqërinë; frika e mbetjes prapa me mësime si pasojë e mosmarrjes seriozisht së lëndëve apo mungesës online që kalon pa u vënë re nga mësuesit si dhe mungesa e theksuar e të qënit të pranishëm online. Duke konsideruar këto pengesa, mësuesit janë kthyer në pikat më të forta lidhëse ndërmjet nxënësve dhe suksesit. Por si mund të jenë ata sa më efikas në këto kohë?
Të jesh pjesë e procesit të mësimdhënies është një rrugëtim konstant njohjeje e vetvetes dhe e nxënësve. Kjo sjell nevojën emergjente për trajnimin e mësuesve në mënyrë që ata të jenë të aftë të përcjellin ato dije tek studentët e tyre. Përgatitja mendore dhe fizike janë çelësi i fillimit të trajnimit të tyre. Ky trajnim përfshin njohjen e mësimdhënies online, integrimin e kurikulave të veçanta, bazuar në kushtet aktuale dhe planifikimin rigoroz të tematikave dhe orareve. Kjo e fundit thekson rëndësinë e dhënies së hapësirës për fëmijët dhe të rinjtë për të pasuar kohën e tyre të lirë. Arritja e suksesit ka në themel një bashkëpunim dhe komunikim reciprok. Metodologjia duhet rikonceptuar për të theksuar rëndësinë e lënies së hapësirës së duhur për mësuesit dhe nxënësit që të përkrahin njeri-tjetrin në procesin e përshtatjes me kushtet e reja.
Fokusi tjetër kryesor duhet t’i jepet përmbajtjes së klasave të zhvilluara online, të cilat duhet të kenë në qëndër aktivitete të ndryshme me bazë suportin dhe mësimin nëpërmjet interaktivitetit me njëri-tjetrin. Puna në grup, lojrat me qëllim edukimi dhe lirshmëria e studentëve në pjesëmarrje në këto aktivitete, (edhe pse online) sjellin një frymë më reflektive dhe mirëkuptuese ndaj të tjerëve. Suporti dhe ndihmesa konstante ndaj njëri-tjetrit është pjesa e qytetarisë kaq shumë e nevojshme në këtë situatë.
Duke marrë në shqyrtim gjithë situatën, ja vlen të pohojmë që pavarësisht pengesave dhe vështirësive të shumta, qasja ndaj dukurive të tilla si qytetarizmi, komunikimi, bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe mbi të gjitha ndërgjegjësimi do të sjellë një tejkalim më të thjeshtë dhe të suksesshëm të veshtirësive të kësaj situate të krijuar.
Rea M. Lara Torres, September 18th/2020
Irisoft Education